“Të Huajt për Shqipërinë dhe Shqiptarët,” PJESA I

BERATI

by PIRO TASE

 

Book Details

SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT

"TË HUAJT PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT"

PIRO TASE

Disa qindra faqe të përkthyera nga gjuhë të ndryshme, vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, në një shtrirje kohore që nga shekulli VI para erës së re, deri sot.


Flasin historianë të lashtësisë: që nga Herodoti e Tit Livi; Gregoras Nicephorus, Chacocondylas, Leunclavius, Lavardin e deri tek Possenti, Cantacuzenus, Pachymeres e Villeharduin.

Janë shfrytëzuar studimet historike edhe të historianëve bashkëkohorë, si: Hammond e Arnold Tonybee.

Për herë të parë 'flet shqip' Wiliam Plomer me "Diamandin e Janinës". "I ftuar" është edhe albanologu i shquar Robert Elsie me introduksionin e tij për 'Seyahatnamenë' e Evlia Çelebiut.

Është historia e një vendi që ka si 'protagonistë" gjeneralë të ushtrive pushtuese apo të atyre ndërluftuese në këto treva: që nga Konsulli Romak, Sulpicius Galba e më pas, Qezari dhe Pompeu i Madh, e deri tek Karli I Anzhuin dhe Sulltan Mehmeti II në rrethimet historike të Kalasë së Belgradit..

Më shumë se 40 udhëtarë të huaj, anglezë, irlandezë, gjermanë, austriakë italianë dhe francezë,rumunë,kronikanë turq dhe turistë amerikanë, përshkruajnë me emocione bukurinë e veçantë të natyrës së këtij vendi dhe pasurinë shpirtërore të këtij populli.

Midis tyre gjen:
Misionerë apo diplomatë të huaj të të gjitha kohërave, politikanë dhe personalitete të shquar , si : Koloneli Lik, Pokevili i famshëm, Aubrey Herbert, Lorenzoni e deri tek Perez De Kuelar.
Poetë dhe artistë të mëdhenj, si: Bajroni, Eduard Liri, Edit Durhami etj.

Vizitorë të shumtë, qofshin këta, studiues, arkitektë, arkeologë, shkencëtarë, biologë, apo, edhe turistë …, si: Evlia Çelebi, Kurzoni, Patsch, Burileanu, Rikakes, Popp, Baldaçi e së fundi, Filip Winn dhe
turisti amerikan, W. Schroeder .

AUTORI

 

Book Excerpt

“GOLGOTHA-ja E SHQIPTARËVE.”


“…Në bregun lindor të Adriatikut, tre ditë të mira udhëtim që nga Vjena, jetojnë shqiptarët, një popull autokton, i cili në shekuj ka luftuar për liri dhe pavarësi kundër armiqve dhe pushtuesve të çdo lloji.
Ata kanë ditur si të ruajnë origjinalitetin e tyre me gjithë luftrat e parreshtura që kanë bërë dhe nga përmbysjet historike që kanë ndodhur herë pas here.
As vala e madhe e emigrimit as edhe betejat kundër sërbëve, turqve dhe armiqve e pushtuesve të tjerë, nuk ka mundur të pengojë shqiptarët për të mbajtur gjithmonë të pastra dhe të pandryshueshme tiparet e rralla të tyre lidhur me racën, gjuhën dhe traditat e zakonet.
Historia e këtij kombi është një vazhdimësi e pandërprerë betejash vdekjeprurëse kundër armiqve të egër . Por as edhe betejat më të përgjakshme nuk kanë mundur të shfarrosin këtë racë të fuqishme.
Gjithashtu, jeta intelektuale e shqiptarëve ka qënë e dukshme, pavarësisht nga fakti që pushtuesit janë përpjekur të shkulin që në rrënjë çdo mundësi të zhvillimit kulturor.
Ky komb i ka dhënë Perandorisë turke gjeneralët dhe shtetasit më të lavdishëm. Ligjvënësit më të shquar të Perandorisë Otomane kanë qënë me origjinë shqiptare.
Veprat më të shquara në letërsinë turke, janë shkruar nga shqiptarët.
Pothuajse gjithë tregtarët e Malit të Zi, ishin me origjinë prej këtij kombi.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për tregtarët e shumë qyteteve rumunë.
Në Itali, gjithashtu, shqiptarët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në provinca të ndryshme; në Greqi, luftëtarët më të guximshëm kanë qënë me origjinë shqiptare.
Në vazhdim të përmbysjes masive, shkaktuar nga Lufta Ballkanike, ëndërra e vjetër e këtij kombi për të fituar lirinë dhe pavarësinë, më në fund, ishte gati për t’u bërë realitet. Superfuqitë evropiane vendosën t’i jepnin Shqipërisë autonominë e një shteti.
Sidoqoftë, sërbët, të kapur nga ethet e pushtimit, e shkatërruan shpejt këtë ëndërr të bukur të këtij kombi të guximshëm dhe liridashës para se ajo të bëhej realitet. Trupat sërbe sulmuan Shqipërinë duke vrarë e duke prerë. “Për deri sa Fuqitë e Mëdha nuk na e lanë neve të gjithë Shqipërinë, atëhere – sipas sërbëve – e vetmja rrugë është shfarrosja e shqiptarëve!”
18 Tetor, 1912. Mbreti Petër i Sërbisë, lëshoi manifestin e tij: “Drejtuar popullit sërb” ku midis të tjerash ai deklaron:
“Qeveria turke nuk tregon asnjë farë kujdesi për shtetasit e saj dhe po e bën veshin shurdh ndaj të gjitha ankesave dhe protestave të shumta. Është krijuar një situatë e tillë që në Turqinë evropiane askush nuk ndihet më i kënaqur. Sërbët, grekët, gjithashtu, edhe shqiptarët e konsiderojnë këtë qëndrim të qeverive të tyre turke të papranueshëm..
Si rezultat, unë kam urdhëruar ushtrinë time, në emër të Zotit, të fillojë luftën e shënjtë me qëllim që të çlirojë vëllezërit tanë dhe t’u sigurojë atyre një jetë më të mirë.
Ushtria ime do të bashkohet në Sërbinë e vjetër, me sërbët kristianë dhe ata myslimanë, të cilët janë për ne po aq të dashur, gjithashtu, edhe me shqiptarët myslimanë dhe të krishterë, me të cilët, për 13 shekuj, kombi ynë ka ndarë së bashku gëzimin dhe hidhërimin.
Ne do t’u sjellim atyre lirinë, vëllazërinë dhe barazinë.”

Nuk kaloi as edhe një gjysëm viti që nga koha e këtij manifesti solemn.
Si e zbatuan sërbët premtimin e dhënë për shqiptarët nga Mbreti i tyre ?
Ja përgjigja:
U vranë mijëra vetë: burra, gra dhe fëmijë. Të rriturit u torrturuan për vdekje, fshatrat u bënë shkrumb ose u plaçkitën krejt; gratë dhe vajzat e reja u përdhunuan dhe gjithë toka e shkrretuar dhe e shkatërruar ishte mbytur në gjak.
Sërbët nuk erdhën në Shqipëri si çlirimtarë të popullit shqiptar por si xhelatët e tyre.
Në Konferencën e ambasadorëve të Londrës u propozua që kufijtë e Shqipërisë do të caktoheshin në bazë të vendimit të një komisioni të krijuar për këtë qëllim. Sërbët e përshpejtuan veprimtarinë e këtij komisioni nën presionin e armëve të zjarrit dhe të bajonetave. Është e pamundur që të përshkruhen krimet e tyre. Ndjenja e zemërimit dhe e tmerrit që buroi nga këto krime i kaloi kufijtë, sidomos kur mendon se këto skena makabre zhvillohen në shekullin e njëzet dhe mu në zëmër të Evropës, jo shumë larg nga qëndra e qytetërimit botëror. Kjo ndjenjë bëhet akoma edhe më shumë shqetësuese kur mendon se asgjë nuk u bë për t’i dhënë fund këtyre masakrave të patreguara, me gjithë faktin që, për muaj me radhë, tani, gazetarët e gjithë vendeve vazhdojnë të shkruajnë për këto vrasje të shëmtuara.

Një popull i jashtëzakonshëm dhe i guximshëm po masakrohet para syve të gjithë botës dhe Evropa, Evropa e Krishtere, Evropa e civilizuar, nuk thotë qoftë edhe gjysëm fjale rreth saj!

Dhjetra mijëra veta të pambrojtur u masakruan, gratë u përdhunuan, të rritur dhe fëmijë të mbytyr për vdekje; qindra fshatra të djegur dhe priftërinj të therrur.
Dhe Evropa vazhdon të qëndrojë indiferente!
Sërbia dhe Mali i Zi kanë vendosur të rrëmbejnë një tokë të huaj. Por kjo tokë është e banuar nga një popull i guximshëm dhe liridashës i cili me gjithë se në shekuj i skllavëruar, këtë zgjedhë të huaj nuk do ta pranonte kurrë. Në këto kushte, e vetmja rrugëzgjidhje do të ishte shfarrosja e shqiptarëve.
Fshatra të panumërta u bënë njësh me tokën, dhe një sasi e panumërt njerëzish u vranë në mënyrën më shtazarake.
Aty, ku dikur lartësoheshin shtëpitë e thjeshta e të ndërtuara me mundim, në breza të tëra, prej shqiptarëve të gjorë, kishin mbetur vetëm grumbujt e gërmadhave prej nga ende dilte tym.
Një komb i tërë i mbytyr në gjak - dhe Evropa nuk thotë asnjë fjalë!
* * *


“Qëllimi i këtij artikulli është që të sensibilizojë ndërgjegjen e qytetërimit evropian.
Fuqitë e mëdha duhet t’i thonë “ndal” dhunës në Shqipëri. Ekspedita e dhunshme e genocidit duhet të ndalohet dhe një komision ndërkombëtar investigimi duhet të ngrihet kundër qeverisë sërbe.
Mbi të gjitha, trupat sërbo-malazese duhet të largohen menjëherë nga tokat shqiptare dhe po ashtu të çlirojnë Shqipërinë nga bllokada që i kanë bërë grekët në jug.
Unë i bëj thirrje të gjitha qeverive të Fuqive të Mëdha; unë i bëj thirrje gjithë qytetërimit evropian në emër të humanizmit, në emër të civilizimit, në emër të popullit të mjeruar shqiptar!
Unë i drejtohem popullit anglez, kombit që në kohën e masakrave në Armeni ngriti me kurajo zërin në mbrojtje të të shtypurve!
Unë i drejtohem Francës, kombi, i cili gjithnjë ka provuar se është mbrojtësi i njerëzimit dhe i të drejtave të tij.

Një Komb fatkeq, duke përjetuar fatin e vet të tmerrshëm, po bën thirrje për ndihmë që nga GOLGOTHA-ja e vet.
A do ta dëgjojë Evropa këtë klithmë?!”
(LEO FREUNDLICH - Vienë, 1913)

 

About the Author

PIRO TASE

PIRO (Marko) TASE

Lindur më 9 Qershor të vitit 1947 dhe banor i qytetit të Beratit deri në Shtator të vitit 2000, kur, së bashku me familjen, emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aktualisht, banor i përhershëm, i qytetit të bukur të Milluokit(WI), në buzë të Liqenit Miçigan.

Në vitin 1964 mbaroi Shkollën e Mesme Pedagogjike “Babë Dudë Karbunara” të qytetit të Beratit.

Në vitin 1969, diplomohet si “Mesues i Gjuhes dhe i Letërsisë Shqipe për Shkollën e Mesme” nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, pranë Universitetit të Tiranës.

Në vitet e mëvonshme, pranë këtij Institucioni, ka përfunduar Kurset pas-universitare për: Gjuhën Angleze, Italiane, Spanjolle, si dhe për Filozofi..

Në vitin 2001, merr Diplomën për “ English as a Second Language” nga Instituti i Stratfordit.

Për një kohë të gjatë ka punuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë në në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Babë Dudë Karbunara’ të Beratit..

Duke qënë për disa vjet në postin e drejtuesit të Bibliotekës së qytetit iu’u dha mundësia që të takohet me vizitorë të huaj: turistë, misionerë, shkrimtarë, studiues apo diplomatë të ardhur nga vende të ndryshme të botës dhe i lindi idea për të shkruar një studim me temë: “Te Huajt për Shqipërinë dhe Shqiptarët” që po i jepet sot lexuesit pas një pune kërkimore nëpër bibliotekat më të mëdha të Perëndimit.

Së shpejti, ky libër do të ketë edhe variantin e vet në gjuhën Angleze.

AUTORI
https://outskirtspress.com/PIROTASE
https://outskirtspress.com/index.php